
Ishte një kënaqësi e veçantë të merrnim pjesë në aktivitetin “Informacion miqësor për të rinjtë në kontakt/konflikt me ligjin” organizuar në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit nga Terre des hommes Albania në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë.
Jemi krenarë të dëgjojmë nga partnerët tanë në nivel lokal për kontributin e të rinjve dhe përfshirjen e tyre në hartimin dhe përshtatjen e Kodit të Drejtësisë Penale për Fëmijët në një gjuhë miqësore për fëmijët. Ky produkt i përgatitur nga fëmijët tek fëmijët, krijon mundësinë për të rritur më tej ndërgjegjësimin për rëndësinë e edukimit ligjor dhe veçanërisht për drejtësinë e arritshme dhe të kuptueshme për fëmijët dhe të rinjtë duke pasur në thelb njohuritë dhe mendimet e përfituesve. Fëmijët dhe të rinjtë patën mundësinë të kenë në dorë dhe të kontribuojnë plotësisht në formimin e një produkti që pasqyron përvojat dhe nevojat e tyre.
Është një privilegj të mbështesësh vazhdimisht avancimin e parimeve demokratike dhe të sundimit të ligjit në Shqipëri, duke pasur një fokus të veçantë në fuqizimin e të rinjve dhe duke përjetuar entuziazmin dhe kontributin e tyre real në shoqërinë shqiptare.
Kjo nismë u realizuan në kuadër të projektit “Të Rinjtë, të Drejtat dhe Drejtësia” zbatuar nga Terre des hommes me financim të Austrian Development Agency.