Adresimi i dhunës seksuale online ndërmjet të rinjve

Adresimi i dhunës seksuale online ndërmjet të rinjve

Projekti kërkimor "Përvojat e të Rinjve mbi Dhunën Seksuale Ndërmjet Bashkëmoshatarëve Online, Normat Shoqërore dhe Rekomandimet e Drejtuara nga të Rinjtë për Parandalim dhe Reagim: Një Studim Ndër Rajonal në Shqipëri, Kenia dhe Kanada" dëshmon se 47% e të rinjve kanë qenë dëshmitarë ose kanë përjetuar dhunë seksuale online. Studimi zbuloi gjithashtu se të rinjtë ndihen të ekspozuar ndaj kërcënimeve si ngacmimi kibernetik (cyberbullying), stigmatizimi rreth pamjes fizike (body shaming), shantazhi seksual (sextortion) dhe ngacmimi seksual në internet, në platforma si TikTok dhe Instagram që paraqesin rreziqe të veçanta në këtë aspekt.


Gjetjet e studimit tregojnë jo vetëm një prevalencë të lartë të dhunës seksuale online, por edhe ndërveprimin kompleks mes sjelljeve individuale, normave të dëmshme shoqërore dhe problemeve në sistemin e parandalimit dhe reagimit. Perspektivat e të rinjve, të cilat janë në qendër të këtij studimi, nxjerrin në pah boshllëqet në qasjet tradicionale në mbrojtjen e të rinjve online, duke theksuar nevojën urgjente për ndërhyrje inovative dhe të informuara nga vetë të rinjtë. Siç argumenton ky studim, të rinjtë nuk janë thjesht viktima pasive, por aktorë aktivë, të aftë për të sjellë ndryshime. Rekomandimet e tyre nënvizojnë potencialin transformues të iniciativave të drejtuara nga të rinjtë, programeve edukative dhe angazhimit të komunitetit për të ndryshuar normat shoqërore të dëmshme dhe për të krijuar hapësira më të sigurta online.


Studimi thekson rëndësinë e një qasjeje holistike dhe ndërsektoriale, e cila trajton shkaqet themelore të dhunës, duke fuqizuar njëkohësisht të rinjtë si bashkëkrijues të sigurisë së tyre. Rekomandimet kryesore përfshijnë:

· Zbatimi më i rreptë i kuadrit ligjor që lidhet me dhunën seksuale online, me përkufizime të qarta dhe dënime për vepra si shantazhi seksual dhe pornografia hakmarrëse (revenge porn).

· Forcimi i bashkëpunimit mes qeverive dhe kompanive të teknologjisë për të përmirësuar sistemet e moderimit të përmbajtjes, forcuar proceset e verifikimit të moshës në platformat online dhe krijuar mekanizma më të lehtë për raportim të dhunës online.

· Integrimi i programeve gjithëpërfshirëse të edukimit digjital në kurrikulat shkollore, duke theksuar jo vetëm sigurinë online, por edhe vlerësimin kritik të përmbajtjes dhe normave digjitale.

· Përfshirja e shkollave, organizatave, komunitetit dhe prindërve për të krijuar mjedise të hapura dhe mbështetëse, ku të rinjtë të ndihen të fuqizuar për të raportuar abuzimet dhe për të kërkuar ndihmë.


Për një pasqyrë më të detajuar mbi rekomandimet e të rinjve, ju lutemi referojuni këtij infografiku.

 

Një raport përfundimtar me përditësime të mëtejshme do të jetë së shpejti i disponueshëm.

Ky projekt financohet nga End Violence Against Children dhe Technology Coalition dhe zbatohet në partneritet me Royal Roads University Canada, International Institute for Child Rights and Development dhe Kenya Alliance for the Advancement of Children.