
Vazhdojmë të punojmë për fuqizimin e të rinjve dhe angazhimin e tyre në proceset vendimmarrëse në komunitet. Në këtë proces shumë të rëndësishëm për mbështetjen dhe fuqizimin e të rinjve është e nevojshme të bëhemi bashkë me prindërit dhe gjithë profesionistët e vijës së parë, të cilët kontribuojnë çdo ditë për edukimin, fuqizimin dhe mbrojtjen e tyre.
Për këtë arsye, gjatë muajit Dhjetor 2024 dhe Janar 2025, patëm mundësinë të bënim bashkë punonjës të shërbimit psiko-social në shkolla, punonjës të mbrojtjes së fëmijëve, mësues, oficerë policie, prindër dhe përfaqësues të organizatave lokale dhe të diskutonim çështje të sigurisë së fëmijëve në shkolla dhe komunitet, rëndësinë e komunikimit shkollë- familje- komunitet, teknika dhe mënyrat që duhet të përdoren nga të gjithë profesionistët dhe familjet në rrugëtimin e rëndësishëm të fëmijëve dhe të rinjve në rrugën e krijimit të personalitetit, fuqizimin e tyre drejt pjesëmarrjes dhe angazhimin e tyre si agjentë ndryshimi e qytetarë kontribuues në shoqëri.
Këto çështje u diskutuan në workshope 2 ditore të organizuara në bashkitë e Dibrës, Kukësit, Fierit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Cërrikut dhe Tiranës. Në të gjitha këto workshope patëm mundësinë që së bashku me pjesëmarrësit të ndanim përvoja dhe ide mbi fuqizimin dhe pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e vendimmarrjes si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndër-institucional për parandalimin e dhunës dhe krimit midis fëmijëve dhe të rinjve.

Ishte kënaqësi e veçantë ta bashkë organizonim këto takime në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe të kishim mundësinë të zgjeronim kontaktet tona e të ndanim jo vetëm shqetësimet për këto problematika të përbashkëta por edhe rrugëzgjidhjet me 164 profesionistë pjesëmarrës në këto workshope.
“Mbështetja e fëmijëve dhe të rinjve drejt pjesëmarrjes nuk është thjesht një detyrë, por një investim për një të ardhme më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse”- shprehet një nga pjesëmarrësit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Të Rinjtë, të Drejtat dhe Drejtësia” zbatuar nga Terre des hommes me financim të Austrian Development Agency.