Në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme përmbyllëm me sukses trajnimin dy ditor me 55 profesionistë të drejtësisë në nivel kombëtar mbi prezantimin e protokollit të punës për koordinatorët e viktimave, asistencën ndaj të miturit viktimë/dëshmitar të veprës penale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Trajnimi është zhvilluar në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë me prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore dhe koordinatorë të viktimave. Për të siguruar qasjen ndërsektoriale, të pranishëm në trajnim ishin dhe Punonjësit për Mbrojtjen e Fëmijëve, përfaqësues të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (ASHDMF) si dhe Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR).
“Trajnimi ishte konkret dhe i lidhur direkt me rolin tonë dhe përfshirjen e të gjithë profesionistëve që punojnë direkt me të miturit viktima apo dëshmitarë të veprave penale,- shprehet E.C koordinator i viktimave.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Të Rinjtë, të Drejtat dhe Drejtësia” me financim të Austrian Development Agency dhe ADC në Shqipëri.