Terre des hommes Kremton 30 Vjetorin e Prezencës së saj në Shqipëri!

Terre des hommes Kremton 30 Vjetorin e Prezencës së saj në Shqipëri!

Një gur kilometrik i rëndësishëm në jetën e organizatës humanitare me qendër në Lozanë, e themeluar 63 vite më parë, me angazhimin e vendosur, për të bërë botën një vend më të mirë për fëmijët.
Përfaqësues të institucioneve qëndrore dhe vendore, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe lokale, përfaqësues të medias, si dhe profesionistë të fushës së mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, iu bashkuan kësaj feste, duke dëshmuar angazhimin e përbashkët në mbrojtje të fëmijëve.

Në fjalën e saj, drejtuesja e Zyrës Kombëtare të Terre des hommes, znj. Enkelejda Kallçiu përcolli një falenderim të thellë për skuadrën e Tdh, mbështetjen e donatorëve dhe partnerëve ndër vite, si dhe besimin e komunitetit, të cilit organizata i ka shërbyer ndër vite. 

« Në këto 30 vite kemi fuqizuar individë dhe komunitete vulnerabël, kemi siguruar mbështetje dhe burime për nevojat e tyre më jetike, kemi advokuar për çështje të rëndësishme për të përmirësuar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe kemi ngritur urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me institucionet partnere. Çdo sfidë që kemi kapërcyer këto vite nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunimin me institucionet qëndrore dhe vendore, organizatat partnere ndërkombëtare dhe lokale, dhe pa mbështetjen e donatorëve. »


Eventin e përshëndeti edhe drejtuesja e përgjithshme e Terre des hommes në Lozanë, znj. Barbara Hintermann.

« Jemi mbledhur sonte këtu sepse duam të shënjojmë 30 vjetorin e Terre des hommes në Shqipëri. Mbetet në thelb një çështje e diskutueshme në këndvështrimin tim nëse duhet të festojmë apo jo prezencën tonë. Në fakt, nëse Tdh është ende aktiv në një vend të caktuar, kjo do të thotë se ende respektimi i të drejtave të fëmijëve nuk është në nivelin e duhur dhe për rrjedhojë nevojitet të punohet që sistemi dhe ligjet të fuqizohen më tej. Thënë kjo, Shqipëria ka bërë një progres domethënës kur bie fjala për të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre, veçanërisht sa i takon kuadrit ligjor dhe përshtatjes së protokolleve ndërkombëtare alternative për mbrojtjn e fëmijëve. Ndaj ne duhet të kremtojmë këtë sukses dhe të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në Shqipëri. »

Në këtë ditë të shënuar për Tdh Shqipëri, organizata mori dhe një certifikatë vlerësimi nga Ministria e Drejtësisë, për kontributin e dhënë në sistemin e drejtësisë për të mitur, bashkë me aktorë të tjerë që operojnë në këtë fushë.