Tdh në Vijën e Parë Kundër Trafikimit të të Miturve Shqiptarë të Pashoqëruar në Francë.

Tdh në Vijën e Parë Kundër Trafikimit të të Miturve Shqiptarë të Pashoqëruar në Francë.

Me synimin për të lehtësuar dhe nxitur shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve mbi praktikat e mira në mbrojtje të të miturve të pashoqëruar, Terre des hommes organizoi një vizitë studimore treditore, në juridiksionin e Rrethit Gjyqësor të Lionit dhe përfaqësuesve të sistemit francez të drejtësisë për të mitur, me aktorët institucionalë shqiptarë nga Ministria e Brendshme, Struktura e Posacme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit  (SPAK), Prokuroria e Përgjitshshme, si dhe Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. 


Gjatë këtij takimi u identifikuan dhe mundësitë për partneritet të zgjeruar operacional ndërmjet autoriteteve franceze dhe atyre shqiptare me fokus forcimin e sistemit të referimit dhe shkëmbimit të informacionit për të garantuar një mbrojtje më të mirë të fëmijëve të pashoqëruar në Francë. 


Kjo vizitë u organizua me mbështetjen e Përfaqësisë së Përhershme të Francës pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare në Vjenë (PP UN Vienna), në kuadër të projektit “Parandalimi dhe mbrojtja nga trafikimi i të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Francë”, i zbatuar nga Terre des hommes Shqipëri. 


Ky projekt vjen pas tryezës së rrumbullakët mbi të miturit shqiptarë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime kriminaliteti dhe lypjeje të detyruar në Francë, organizuar në nëntor 2022 nga Ambasada Franceze në Shqipëri, e cila mblodhi së bashku rreth dyzet aktorë kryesorë të fushës nga të dy vendet. Ai bazohet në rezultatet e studimit të kryer nga sociologu Olivier Peyroux mbi të miturit shqiptarë të detyruar për t’u përfshirë në kriminalitet dhe lypje në Francë. Studimi fokusohet kryesisht në aktivizimin e aktorëve kryesorë në terren në Shqipëri dhe në Francë dhe përdorimin e një qasjeje ndërsektoriale për lokalizimin, identifikimin, mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave si dhe mledhjen e fakteve për përfshirjen e tyre në veprat penale.