Tdh në tryezë me presidentin austriak prezanton projektin e financuar nga Austrian Development Agency

Tdh në tryezë me presidentin austriak

Terre des hommes Shqipëri pati kënaqësinë të ishte pjesë e tryezës së organizuar në Ministrinë e Drejtësisë, në kuadër të vizitës në Tiranë të presidentit austriak, Alexander Van der Bellen. Tregues i miqësisë së fortë mes dy vendeve është edhe mbështetja e një seri projektesh përmes Agjencisë Austriake për Zhvillim në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, si dhe për të shkurtuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Terre des hommes Shqipëri, u përfaqësua nga këtë takim të rëndësishëm nga drejtuesja e Zyrës Kombëtare znj. Enkelejda Kallçiu, e cila teksa njohu të pranishmit me objektivat që synohet të arrihen përmes projektit « Zëri i të Rinjve për Drejtësi dhe të Drejta » që ka nisur të zbatohet me mbështetjen financiare të ADA-s, shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin e frytshëm të vendosur me Ministrinë e Drejtësisë dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim. 
Projekti në fjalë është i shtrirë në 8 zona të vendit dhe do të sjell përmirësim të njohurive dhe aftësive të fëmijëve dhe të rinjve nga mosha 14 – 25 vjeç mbi shtetin e të drejtës, demokracinë, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore & diversitetin, mjedisin dhe rolin që ata mund të luajnë për të sjellë ndryshimin që duan në komunitetin ku ata jetojnë. Njëherësh, në kuadër të këtij projekti, 19 organizata rinore të shoqërisë civile do të mbështeten të punojnë me fëmijë dhe të rinj, familje dhe komunitete për të zhvilluar dhe zbatuar inisiativa lokale që kanë në qendër fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve përmes pjesëmarrjes së tyre aktive në këto nisma.