Në përmbyllje të projektit “Ri-Integrimi i Qendrueshëm Socio-Ekonomik i Migrantëve të Kthyer” të financuar nga GIZ Albania, nëpërmjet programit “Migracion për Zhvillim” DIMAK Albania, Terre des hommes ka prezantuar punën e bërë ndër vite mbështetur në tri aspektet kryesore të ndërhyrjes, më konkretisht:
• Përmirësimi i aksesit në shërbimet e kujdesit social për riintegrimin e të kthyerve vulnerabël
• Fuqizimi ekonomik afatgjatë i të kthyerve vulnerabël, nëpërmjet mundësive konkrete të punësimit dhe vetëpunësimit dhe zhvillimit të aftësive të tyre profesionale
• Përmirësimi i koordinimit dhe kapaciteteve të profesionistëve dhe aktorëve kryesorë, për të identifikuar migrantët, për të ofruar shërbime dhe ndërhyrje cilësore si dhe për të ndërtuar strategji të qëndrueshme për të rikthyerit.
Gjatë intervistës në emisionin “Ftesë në 5” në televizionin kombëtar Top Channel, znj. Enkelejda Kallçiu, drejtore e Zyrës Kombëtare të Tdh shpjegoi sesi lindi nevoja për një projekt të tillë:
“Mund të themi që migracioni ka pasur fazat e veta në Shqipëri. Nga 2015 e deri më tani mund ta konsiderojmë si një fazë të mëvetshme, duke qenë se ka pasur shumë shqiptarë që kanë aplikuar për azil, kryesisht për arsye ekonomike dhe për rrjedhojë atyre iu refuzua qëndrimi në vendet e Bashkimit European. Ndaj dhe këtë periudhë ka pasur një fluks nevojash dhe shërbimesh, përballë të cilit bashkitë kanë pasur nevojë për më shumë mbështetje për t’iu përgjigjur atyre. Në këtë aspekt, kjo fazë e projektit ka përkuar shumë mirë me dinamikën që kishte migracioni. Sigurisht me këtë projekt nuk mund të themi se kanë mbaruar ccështjet e migracionit. Mendoj që ka dinamika të reja tashmë dhe do të duhet të ketë projekte e ndërhyrje të tjera për t’iu përshtatur atyre.”
Për intervistën e plotë kliko në linkun më poshtë:
Ftesë në 5, Ri-integrimi social-ekonomik i migrantëve të rikthyer, 29 Qershor 2023, Pjesa 3