Në sesionin e zhvilluar në Nju Jork me Grupin e Punës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm të GCTF, Terre des hommes, e përfaqësuar nga znj.Valmira Greca, menaxhere e programit të Mbrojtjes së Fëmijëve, pati mundësinë e pjesëmarrjes gjatë sesioni të parë kur u diskutua rasti i Shqipërisë.
Forcimi i bashkëpunimit në nivel kombëtar dhe lokal në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në komunitet, ishte fokusi i diskutimit gjatë këtij sesioni.
Si një nga aktorët e parë të shoqërisë civile në Shqipëri, Terre des hommes ka qenë thellësisht i përfshirë në përpjekjet e përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të fëmijëve dhe grave të kthyera nga zonat e konfliktit. Përvoja jonë evidenton rolin thelbësor që luan shoqëria civile në këtë përpjekje të përbashkët.
Gjatë këtij sesioni u nënvizua dhë rëndësia që mbart bashkëpunimi midis qeverisë dhe aktorëve të shoqërisë civile, pasi vetëm së bashku mundet që të arrihen rezultate në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, dhe në mbështetje të ndërtimit të komuniteteve më të sigurta.
Ky sesion shërbeu në thelb si një platformë e fuqishme për të eksploruar koordinimin midis aktorëve të nivelit kombëtar, lokal dhe komunitar në Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm që kontribuon në terrorizëm (P/CVE).