Rezultatet e punës së bërë ndër vite në zbatim të projektit “Ri-Integrimi i Qendrueshëm Socio-Ekonomik i Migrantëve të Kthyer” ishin në vëmendje te emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në Radio Televizionin Publik Shqiptar ku ishin ftuar përfaqësues të skuadrës së Terre des hommes, drejtore e Zyrës Kombëtare të Tdh, znj.Enkelejda Kallçiu dhe Oficerja e Projektit, znj. Ornela Hamataj. Gjatë bisedës në studio ato u ndalën tek aspektet e ndërhyrjes si dhe theksuan rëndësinë e paketave gjithëpërfshirëse.
Drejtore e Zyrës Kombëtare e Terre des hommes, znj. Enkelejda Kallçiu, u ndal tek ndërhyrjet shumëplanëshe të realizuara në bashkëpunim me bashkitë:
“Ne e dimë që migrantët e kthyer kur vijnë në vendlindje, fushat në të cilat ata kanë nevojë janë të shumta. Ato kanë nevoja ekonomike, nevoja për t’u ripunësuar, për formim profesional, ndërmjetësim për punësim, problematika sociale të ndryshme me të cilat këto familje ndeshen herë pas here. Pra ndërhyrjet janë të shumëanshme ndaj dhe në partneritet me bashkitë kemi punuar që kjo mbështetje të jetë e plotë për migrantët.”
Oficerja e Projektit, znj.Ornela Hamataj dha më shumë detaje për shërbimet që ofrohen në qendrat komunitare multifunksionale:
“Këto qendra janë gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë padyshim që në fokus janë familjet e kthyera nga migracioni i paligjshëm me nevoja të theksuara social-ekonomike, duke përfshirë të gjitha kategoritë: fëmijët, të rinjtë, qytetarët e komunitetit apo edhe vetë aktorët dhe profesionistët që punojnë në këtë fushë. Ri-integrimi nuk ndodh pa një paketë gjithëpërfshirëse”
Për intervistën e plotë kliko në linkun më poshtë:
Terre de homes, projekt për riintegrimin e qëndrueshëm ekonomik të emigrantëve të kthyer