Terre des hommes në bashkëpunim me Prokurinë e Përgjithshme kanë organizuar, në kuadër të projektit “Të Rinjtë, Të Drejtat dhe Drejtësia” me financim të Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe ADC në Shqipëri, sesionin e parë të trajnimit dyditor për profesionistët e drejtësisë në lidhje me teknikat miqësore të intervistimit të të miturve, viktima të abuzimit fizik dhe seksual.
Trajnimi u ndoq me interes edhe nga Chris CHENAVIER, Operations Deputy Manager Asia – Europe – LATAM në Terre des hommes, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare triditore në Shqipëri për t’u njohur me punën që stafi i Tdh kryen në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në trajnimin e zhvilluar në Tiranë morën pjesë 25 prokurorë, Oficerë të Policisë Gjyqësore, si dhe kordinatorë të subjekteve me status të posaçëm në Prokurorinë e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Dibrës. Një prej tyre e vlerësoi në këtë mënyrë trajnimin: “Mendoj se njohja me teknikat e intervistimit të të miturve, do të ndikojë në punën time, veçanërisht në qasjen për të lënë sa më pak pasoja tek i mituri përgjatë procesit hetimor”
Përpjekjet tona do të vazhdojnë me të tjera trajnime që do të zhvillohen me profesionistët e drejtësisë si dëshmi e angazhimit tonë si Tdh për një drejtësi më miqësore me fëmijët.