Njihuni me Historikun e Rrugëtimit të Tdh Shqipëri në 30 vite! (VIDEO)

Njihuni me Historikun e Rrugëtimit të Tdh Shqipëri në 30 vite! (VIDEO)

Për herë të parë që prej prezencës sonë 30 vjeçare në Shqipëri, përpiqemi të fiksojmë në celuloid disa nga momentet kryesore ndër vite, bashkë me sfidat që i kanë dhënë formë misionit tonë në mbrojtje të fëmijëve. I gjithë rrugëtimi është parë në këndvështrimin e ish-pjesëtarëve ndër vite të skuadrës së Tdh Shqipëri.  Për z.Robert Stradobërda, sot pedagog në Universitetin "Fan S. Noli", dikur koordinatorë i zyrës së parë të Terre des hommes Shqipëri, të çelur në 1993-in, kthimi në ish-mjediset e tij të punës, në Korçë, ishte një moment emocional:

“Një nostalgji, një nostalgji e vërtetë. Kujtova edhe një herë atë rrugën që bëja prej 30 vitesh më parë, dhe e bëja pothuajse dy herë në ditë. Më solli ndërmend atë punë të madhe që kemi bërë në ato vite, në vite të vështira. Unë isha mësues i gjuhës frënge dhe Tdh kishte bërë një thirrje, kërkonte bashkëpunëtorë, përkthyes, dhe thashë po shkoj të provoj njëherë veten.”

Rrugëtimi ndalet më tej në kujtimet e ish drejtuesve të misionit ndër vite sikurse Sendrine Znj.Constant, Z.Thierry Agagliate, Znj.Jezerca Tigani, dhe Znj.Alketa Lasku. Punët e mira të bëra për ndryshimin e jetëve të fëmijëve dhe komuniteteve, ato ia atribuan njëzëri, SKUADRËS.

“Mendoj që të gjitha ato arritjet që ne po themi për Tdh-në në Shqipëri gjatë këtyre viteve nuk janë të drejtorit, janë të ekipit.” - nëvizon znj.Jezerca Tigani 

“Aseti kryesor i organizatës qëndron te njerëzit që punojnë për organizatën.” - shprehet znj.Alketa Lasku 

Edhe për stafin e Tdh, puna në këtë organizatë ka dhënë më shumë sesa shpërblim monetar:

"Tdh-në nuk e kam parë kurrë si një shpërblim monetar në fund të muajit, e kam parë gjithmonë si një vend ku unë mund të rritem profesionalisht, cilësisht. Në Tdh është vendi ku kam gjetur kolegët më të mirë të mundshëm dhe zhvillimi profesional ka qenë shumë i dukshëm." - thotë mësuesja ndihmëse në Qendrën Multifuksionale në Lezhë, znj.Gjela Pecaj gjatë një interviste të dhënë në Maj të këtij viti.

Në dekadën e katërt, drejtuesja e Zyrës Kombëtare të Tdh Shqipëri, Znj. Enkelejda Kallçiu, nënvizoi se fokusi i punës duhet të jetë jo vetëm në përgjigjie të fenomeneve që cënojnë target grupet vulnerabël me të cilët Tdh punon por edhe në parandalim:
“Mendoj që Shqipëria e ka kaluar kohën që të jetë vetëm në përgjigje. Patjetër duhet të ketë një cilësi të fortë dhe profesionalizëm të fortë se si përgjigjemi përkundrejt personave që janë cënuar në fushat me të cilat ne operojmë, por, ndërkohë, parandalimi nuk ka pasur në vendin tonë të njëjtën vëmendje dhe mendoj që për ne si organizatë, sigurisht është një praktikë e mirë ndërhyrjeje, por besoj që do të dojë fokus të madh për të parë cilat do të jenë modelet, ndërveprimet institucionale dhe mënyra si do të operohet për të siguruar parandalimin në të gjitha fushat.”