Muaji i Ndërgjegjësimit mbi Shëndetin Mendor, të Rinjtë e Kukësit Përcjellin Mesazhe Përmes Artit

Ekspozite Kukes

Ndikimi i dhunës dhe bullizmit në shëndetin mendor” ishte tema e ekspozitës me punime të realizuara nga grupi rinor i Kukësit, të cilët përmes këtij eventi patën si qëllim shpërndarjen e mesazheve për bashkëmoshatarët e tyre dhe komunitetin e qytetit për pasojat e këtyre fenomeneve në jetën personale dhe sociale të gjithësecilit. 
Gjatë muajit Maj, të rinjtë kanë punuar intensivisht për të vizatuar piktura dhe për të krijuar imazhe të ndryshme me qëllim sensibilizimin. Ata kanë ftuar për t’u angazhuar në këtë nismë edhe bashkëmoshatarë të tjerë për të përcjellë së bashku mesazhe të fuqishme nëpërmjet artit. Yllka, një nga të rejat pjesëmarrëse në nismë, nuk nguron të shpreh shqetësimin për faktin sesi bullizmi është kthyer në modë: 
 “Bullizmi dhe gjuha e dhunës janë shëndrruar në modë. Ato afektojnë gjendjen tonë shpirtërore, emocionale dhe sociale duke na bërë të jemi më të ndrojtur, pa vetëvlerësim, të nënshtruar dhe të përjashtuar. Ndaj për ne si të rinj është shumë e rëndësishme të promovojmë vlera pozitive dhe të mundohemi të ndërgjegjësojmë dhe informojmë mbi pasojat që bullizmi dhe dhuna kanë në shoqëri. Ku ka më bukur, që këtë ta realizosh përmes artit.”  

Ekspozita u realiza në qendër të qytetit dhe tërhoqi vëmendjen e qytetarëve, të cilët i inkurajuan dhe përgëzuan të rinjtë për nismën e ndërrmarrë. Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Parandalimi dhe riintegrimi i sigurtë për fëmijët dhe nënat të rikthyer nga zonat e konfliktit”, i cili po zbatohet nga Terre des hommës Shqipëri në partneritet me Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm me financim të Global Community Engagment and Resilience (GCERF).