Me evoluimin e teknologjisë, koha që të rinjtë kalojnë duke lundruar në internet është gjithnjë e më e madhe, ndaj lind nevoja për mbrojtjen e tyre ndaj risqeve që lidhen me përhapjen e dhunës seksuale në internet. Projekti kërkimor i Koalicionit Teknologjik për Internetin e Sigurtë, në të cilin Tdh është një nga partnerët zbatues, bashkë me me Royal Roads University (Canada), International Institute for Child Right and Development (USA), dhe Kenya Alliance for the Advancement of Children (Kenya) ka për qëllim të ofrojë më shumë mbështetje për qeverinë dhe aktorët e shoqërisë civile për të kuptuar më mirë rreziqet me të cilat të rinjtë ndeshen duke lundruar në internet. Teksa në të njëjtën kohë synon të ofrojë udhërrëfyesit e duhur për hartimin e politikave më të mira për të shmangur të tilla rreziqe.
Nga ana tjetër, përmes këtij projekti kërkimor, do të jenë vetë të rinjtë nga mosha 13 deri në 18 vjeç që do të angazhohen për të identifikuar zgjidhje praktike për garantimin e sigurisë në internet, të cilat mund të përfshihen në rekomandimet për sektorët kryesorë në lëmin e teknologjisë. Bazuar mbi eksperiencat vetjake, të rinjtë do të pyeten edhe për përvojat e grupmoshave më të vogla (7 – 12 vjeç).
Projekti i cili ka nisur të vihet në zbatim në Shkurt të këtij viti ka për qëllim të ofrojë zgjidhje praktike të ideuara nga vetë të rinjtë të cilat do të vijnë si propozime për qeverinë e të tri vendeve përkatëse, pjesë e kësaj nisme.