“Ëndërro, Planifiko, Realizo” me këtë moto të rinjtë e Elbasanit janë bërë bashkë në realizimin e kësaj murale që dëshmon për talentin e tyre artistik përmes të cilit ia dolën të përcillnin mesazhe të paqes e dashurisë, diversitetit dhe bashkëjetesës në harmoni.
Për Tean, e cila është bërë pjesë e grupit rinor të Elbasanit prej gati një viti, finalizimi i një tjetër iniciative është burim motivimi për punën e mirë që kanë bërë të gjithë bashkëmoshatarët e saj.
“Gjatë aktivitetit që kemi zhvilluar me grupin e Elbasanit kemi arritur të finalizojmë dy inisiativa rinore. E para ka qenë ajo e ngritjes së një biblioteke për të cilën jemi kujdesur ta pasurojmë edhe me libra. Ndërsa inisiativa e dytë është kjo murale në parkun Rinia. Jam shumë e lumtur për punën e mirë që kemi bërë të gjithë së bashku”
Ndërsa Lorenco shpjegon se përse është zgjedhur pikërisht ky vend për të përçuar këto mesazhe:
“Ky është një vend që frekuentohet shumë nga të rinjtë. Thëniet që kemi shkruar janë mesazhe që iu drejtohen të gjithë bashkëmoshatarëve tanë. Le të shpresojmë që nga ky vend popullor për qytetin këto mesazhe të shpërndahen dhe të shërbejnë si frymëzim pozitiv për të rinjtë."
Të tilla inisiativa realizohen nga Terre des hommës Shqipëri në kuadër të projektit “Parandalimi dhe riintegrimi i sigurtë për fëmijët dhe nënat të rikthyer nga zonat e konfliktit”, i cili po zbatohet në partneritet me Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm me financim të Global Community Engagment and Resilience (GCERF).