Një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që duan të eksplorojnë pasionin për të ndihmuar të tjerët dhe për të sjellë ndryshime pozitiv në komunitet!
Qendra Komunitare Multifunksionale në Lezhë në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimti Social në Bashkinë e qytetit në zbatim të projektit “Të Rinjtë, Të Drejtat dhe Drejtësia” me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe ADC në Shqipëri kanë nisur një cikël sesionesh informuese për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka” që kanë zgjedhur si profil studimi atë të shërbimit social dhe shëndetësor. Në dy takimet e para, në njërin prej të cilëve ishte e pranishme dhe drejtoresha e shërbimit social znj.Marte Fetaj, është folur për rëndësinë e punonjësit social dhe adresimin e sfidave me të cilët të rinjtë nga zona urbane dhe rurale të Lezhës ndeshen në përditshmëri.
Përpos sesioneve informuese, të rinjtë kanë mundësi të kryejnë dhe praktikën profesionale në mjediset e QKM Lezhë duke u njohur me praktikat më të mira të krijura ndër vite nga Terre des hommes Shqipëri. Alesia, 17 vjeçare shprehet e bindur se ka zgjedhur degën e duhur:
“Falë informacionit të marrë nga këto sesione dhe praktikave që po mësojmë në qendrën komunitare multifunksionale të Lezhës jam gjithnjë e më e bindur se kam zgjedhur profesionin që dua t’i përkushtohem në vitet e ardhshme”