Ekspertiza e Tdh në mbështetje të ngritjes së modelit të qendrave me një ndalesë

Ekspertiza e Tdh

Gjashtë muaj nga miratimi i Udhëzimi nr.564/2022 të Ministrisë së Shëndetsisë dhe Mirëqenies Sociale për ngritjen e Qendrave me Një Ndalesë për të miturit, viktima ose dëshmimtarë të abuzimit seksual dhe formave më të rënda të dhunës, Terre des hommes Shqipëri ka thirrur në një workshopi dy-ditor punonjësit e shërbimeve sociale, psikologë, koordinatorë pranë One Stop Center si dhe punonjës të ruajtjes së rendit (Policia e Shtetit) të qarkut Shkodër dhe Fier. Qasja multidisiplinare në mbrojtje të fëmijëve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në mbrojtjen e tyre ishte kryefjala në hyrje të këtij trajnimi dy-ditor. Drejtuesja e Zyrës Kombëtare, znj.Enkelejda Kallçiu theksoi se:

“Terre des hommes ka mundësuar ekspertizën më të mirë ndërkombëtare nga Promise Network, dhe ndërhytjet tona europiane paralelisht me ekipin kombëtar për ngritjen modelit dhe programit të trajnimit, i cili fillon sot dhe do të ofrohet në mënyrë të vazhdueshme për përmbushjen e standarteve të shërbime me një ndalesë si dhe për të mbështetur punën multidisiplinare përgjate sfidave të praktikës.”


Mbështetja e Unicef Shqipëri është kyçe për mbarëvajtjen e këtij procesi. Oficerja për Mbrojtjen e Fëmijëve në UNICEF Shqipëri, znj.Ada Shkurtaj u drejtoi një thirrje të pranishme:
“Të shikojmë sa më parë këtë shërbim të ri si një praktikë në zhvillim që ka për qëllim të përmirësohet hap pas hapi. Kjo është një mundësi për të gjithë ne, që të përdorim këtë burim, ta pasurojmë me praktikat më të mira dhe të përshtasim me mjedisin ku do të vihet në zbatim, duke garantuar qëndrueshmërinë e tij. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u siguruar sesi mund të mbrojmë bashkarisht këta fëmijë!”


Znj. Alma Tandili, Kryetarja e Agjencisë  Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve e pranishme në ditën e parë të këtij workshopi theksojë nevojën për të punuar me çdo hallkë të sistemit duke nisur që nga shkollat:
“Të ndërgjegjshëm për kapacitetet e pamjaftueshme në raport me nevojat, por kjo sfidë mund të fitohet përmes qasjes proaktive, ndërgjegjësimit përmes raportimit të çdo rasti dhune tek mekanizmat përkatës, duke nisur që nga shkollat. Të jemi të gjithë bashkë për të forcuar sistemin përmes ndërgjegjësimit: Dhuna nuk mund të jetë pjesë e stilit tonë të jetës.”


Në dy ditët e këtij workshop, trajnerët Alketa Lasku dhe Valmira Greca prezantuan modelin islandez Barnahus, nga i cili mund të merren praktikat më të mira dhe të përshtaten për kontekstin shqiptar. Me mbështetjen e Tdh Europe, ky model ka gjetur aktualisht zbatim në Hungari dhe Rumani. Workshopi u zhvillua në kuadër të projektit “Ngritja e Reziliencës si Instrument Parandalues dhe e Shërbimeve të Reagimit të Menjëhershëm për Fëmijët Viktima të Trafikimit dhe Formave të Rënda të Dhunës”, i zbatuar nga Terre des hommes dhe UNICEF Albania me mbështetjen financiare të British Embassy në Tiranë.