Në kremtimin e Ditës së Familjes, të rinjtë tanë në 4 qytetet të ndryshme, përkatësisht Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Fier u angazhuan në aktivitete që synojnë të nënvizojnë rëndësinë e familjes si vlerë themelore në shoqëri. Që nga takimet informuese me të rinj të organizuar në Lezhë dhe Fier, e deri tek aktivitetet ndërgjegjësuese në Qendrën Komunitare për të Moshuar dhe Persona me Aftësi Ndryshe në Elbasan, të rinjtë e angazhuar në projektin “ Të Rinjtë, Të Drejtat dhe Drejtësia” me financim të Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe ADC në Shqipëri u ndjenë pjesëmarrës aktiv në një ditë të veccantë sikurse kjo kushtuar familjes.
Arsilda nga Lezha ndan me ne, këtë mbresë pas pjesëmarrjes në takimin informues.
"Nga ky takim dhe tema e trajtuar, dola me nje reflektim personal mbi rëndësinë që ka familja për mua dhe sa e çmuar është koha e shpenzuar me to."
Në Dibër, kjo ditë u përdor si një mundësi për të nënvizuar rolin kycc që familja mund të luajë në mbrojtje të mjedisit. Nisma "Lule si burim oksigjeni" u ndërmorr nga të rinjtë tanë bashkë me prindërit, duke synuar të mbjellin lule për të shtuar oksigjenin në hapësira ku ato kalojnë edhe më shumë kohë.
“Nuk e kisha ndihmuar asnjëherë mamin për mbjelljen e luleve në shtëpi sepse e shikoja si punë për vajza, por u ndjeva shumë mirë kur në fund bëra një vazo vetë. Kuptova se sado e vogël puna ime sot, ka një vlerë, pasi ndryshimi nis nga vetja” – tregon Arbri, 15 vjeçari nga Dibra.