Grupi i të rinjve të Dibrës të angazhuar me projektin « Të Rinjtë, Të Drejtat dhe Drejtësia » me mbështetjen financiare të Agjencise Austriake për Zhvillim dhe ADC në Shqipëri, realizuan një nga inisiativat e identifikuara përgjatë rrugëtimit « Ti Krijon » lidhur me sportin, si një mënyrë për të promovuar mirëqenien fizike dhe mendore.
Të rinjtë dibranë patën mundësi që në mjediset e shkollës 9-vjeçare « Selim Alliu » të zhvillonin një seri aktivitetesh sportive në bashkëpunim me Bashkinë e Dibrës, e përfaqësuar në këtë veprimtari nga nënkryetari, z.Sajmir Kojnozi dhe nga Drejtoresha e Drejtorisë së Rinisë, Sporteve dhe Shëndetësisë, znj.Denisa Basha.
Sportet ofrojnë një platformë të shkëlqyer për të rinjtë që të zhvillojnë aftësi thelbësore sociale si puna në grup, komunikimi, lidershipi dhe bashkëpunimi. Nëpërmjet sportit, ata mësojnë të punojnë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët, të respektojnë bashkëmoshatarët e tyre dhe të dinë si t’i qasen suksesit dhe dështimit.