Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave të Vogla, skuadra e Terre des hommes në Shëngjin, së bashku me lehtësuesin komunitar, Sorosh Shiwa, njëherësh ekspert i Google, organizuan një sesion informues-ndërgjegjësues me vajzat e komunitetit Afgan te strehuar në Shqipëri me qëllim për t’i fuqizuar ato kundrejt një shoqërie gjithnjë e më të ekspozuar ndaj sfidave digjitale.
Gjatë sesionit u adresuan çështje të prekshme sikurse: parandalimi i varësisë ndaj internetit, krijimi i një ëebsite dhe promovimi i mirëqenies së vajzave Afgane dhe fuqizimi i tyre digjital.
Nilofar, një nga pjesëmarrëset pohoi pas aktivitetit:
"Ishte gjithçka e shkëlqyer. Nuk kisha dëgjuar më parë për Tdh dhe për aktivitetet tuaja sepse kam vetëm 2 javë që jam vendosur në Shqipëri, por ndihem shumë e lumtur që mora pjesë dhe mësova më shumë mbi sigurinë online.”
Pjesë e këtij sesioni ishin edhe nënat, me qëllim ndërgjegjësimin e tyre për një kujdes të shtuar ndaj sigurisë online:
“Sot mësova sesi duhet të qasem me fëmijët e mi për të mos lejuar varësinë ndaj internetit dhe pajisjeve elektronike. Deri më tani nuk isha në dijeni për ekzistencën e opsioneve të kufizimit të kohës për përdorimin e pajisjeve celulare.”
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Refugjatët, veçanërisht fëmijët dhe gratë kanë akses në shërbimet cilësore të parandalimit dhe reagimit ndaj abuzimit, dhunës dhe neglizhencës”, zbatuar nga Terre des hommes Shqipëri dhe Nisma në partneritet me UNICEF Albania dhe financim të Byrosë së Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit (PRM) e Departamentit të Shtetit të SHBA’.