Qendra Komunitare Multifunksionale për Familjen e Angazhuar për Parandalimin e Trafikimit Njerëzor

Qendra Komunitare Multifunksionale për Familjen e Angazhuar për Parandalimin e Trafikimit Njerëzor

Marta* është një nënë e vetme 35-vjeçare e cila ka ardhur nga një fshat malor për të jetuar në qytetin e Shkodrës 10 vite më parë. 
E rritur në një zonë rurale me mundësi ekonomike të kufizuara dhe e martuar në një familje ku mungonte harmonia, 35-vjeçarja vendosi të zbriste në qytet fillimisht bashkë me bashkëshortin e saj. Si shumë njërëz ajo kishte dëshirën për një jetë më të mirë dhe e pa zhvendosjen si një mundësi për të ndërtuar jetën nga e para me bashkëshortin e saj. Gjërat nisën të ndryshonin, por jo për mire.


Një vit pasi filluam të jetonim në Shkodër unë mbeta shtatzanë dhe në jetë erdhi ime bijë. Vetëm sepse linda vajzë askush nuk donte të më shihte më sy. Më thanë që po të kishte qenë djalë, do ishte më ndryshe. Kjo nuk ishte në dorën time. Që atëherë e kuptova që isha e vetme përballë vështirësive sepse përpos prindërve të mi, asnjë ndihmë nuk kam pasur nga bashkëshorti im apo nga familja e tij. Ai nuk jeton më me ne dhe shfaqet vetëm një herë në 2-3 muaj në shtëpi, por vajza as bab nuk i thërret


Vështirësitë me të cilat nëna e re do të përballej nuk ishin të pakta. Vajza e saj ka folur vetëm pasi ka mbushur 4 vjeç. Frika se mos nuk i dëgjonte zërin e kishte çuar në dyert e shumë doktorëve:


Të gjithë më thonin është fëmijë dembel. Edhe mjekët që e kanë vizituar më sugjeruan që të prisja. Dy muaj pasi mbushi 4 vjeç, nisi të fliste direkt me fjali. Aty u lehtësova. Por pas këtij shqetësimi nisën problemet me sytë. Vajza u fut në operim në moshën 6 vjeçare.”

Kalvari i problemeve shëndetësore nuk mbaroi me kaq. Vajzës i nisën shqetësimet me veshkat,  njëra prej të cilave është e zmadhuar. Njëherë në 3 muaj ajo duhet të bëj analiza për ta mbajtur nën kontroll. Përveç vështirësive shëndetësore të së bijës,  peripecitë nisën të bëheshin edhe më të mëdha kur vajza nisi shkollën. Marta tregon se i është dashur të kërkojë ndihmë. 
Kur e regjistrova në shkollë në moshën 7-vjeçare, në klasë të parë, vajza nuk mundte as të shkruante dhe as të lexonte. Mu desh të bëja kërkesë për mësuese ndihmëse duke qenë se vajza siç më ka thënë doktori ku e kam vizituar vuan nga çrregullime të vëmendjes, prej hiperaktivitetit dhe për të ishte dhe më e vështirë të mësuarit. Në pamundësi për t’iu përgjigjur kërkesës time, shkolla më referoi tek qendra nr.5, këtu tek ju. Nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitetet që zhvillohen çdo ditë në qendër, vajza ime arriti të përmirësohej në të shkruar dhe në lexim. Krijoi shoqëri sepse më përpara rrinte vetëm. Por edhe unë me takimet me këshillimin që kam marrë këtu në qendër kam kuptuar më mirë sesi duhet t’i qasem vajzës dhe t’i përgjigjem më mirë nevojave të saj.”


Ajo përmend dhe një moment të vështirë emocional të së bijës, e cila ka qenë viktimë e bullizmit.
I merrnin ushqimin, lapsat. Nuk e linin të luante, bashkëmoshatarët e saj i thonin ti nuk di asgjë. nuk di të lidhësh flokët, nuk di të lidhësh këpucët. Të gjitha këto i mësova vonë pasi vajza mbaroi klasën e parë në shkollën ku ishte. Ajo nuk mi tregoi vetë, derisa një ditë e zbulova kur shkova ta merrja në shkollë dhe kur hyra në klasën e saj, e gjeta duke qarë. Mësuesja nuk ishte në klasë. Shoqet ishin duke e tallur si i kishte kapur flokët. E mora vajzën dhe shkova tek drejtoresha e shkollës. Aty i kërkova menjëherë që të më përgatiste transferimin e vajzës në një shkollë tjetër.”


Falë mbështetjes së qendrës komunitare multifunksionale nr.5 në Bashkinë Shkodër, në bashkëpunim me shkollën, Marta ia ka dalë të shoh përmirësime tek vajza e saj. Historia e 35-vjeçares është një dëshmi e fuqisë transformuese të një nëne e cila është e gatshme të luftojë për mirëqenien dhe sigurinë e fëmijës së saj. Si vajza e vogël e Martës mund të ketë shumë të tjerë të cilët nuk kanë kurajo të flasin për gjendjen e tyre emocionale në shkollë ndaj Marta e ka një mesazh:
Kushdo që sheh dikënd, sidomos një fëmijë që ndihet keq duhet t’i qëndrojë afër e të flas për ta mbrojtur dhe jo të qesh.”

Ky projekt është në kuadër të programit “Transformimi i Përgjigjies Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” e zbatuar nga Tdh, e udhëhequr nga UNCEF Albania dhe mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë.

*Marta është një pseudonim i përdorur me qëllim për të ruajtur identitetin e gruas. Çdo ngjashmëri mes historisë së saj dhe njerëzve të tjerë, me të njëjtin emër, dhe me të njëtën moshë, është mirëfilltazi rastësi.