Shërbimi i Provës me Sytë e Fëmijës

Shërbimi i Provës me Sytë e Fëmijës

Terre des hommes prezanton gjetjet dhe rekomandimet e “Hulumtimit pjesëmarrës mbi perceptimin e fëmijëve në konflikt me ligjin për efektivitetin dhe ndikimin e shërbimit të provës në riaftësimin e tyre në Shqipëri" të kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës. Ndërkohë që Projekt Strategjia e Drejtësisë për Fëmijët 2022 – 2026 dhe Plani i Veprimit janë në proçes konsultimi publik, ky studim me gjetjet e tij përbën një bazë të mirë për të përmirësuar metodologjinë dhe vijimin e punës për një drejtësi miqësore për çdo fëmijë që përballet me ligjin. Në fjalën e saj në çelje të këtij prezantimi, Drejtorja Kombëtare e Misionit të Terre des hommes në Shqipëri, znj.Enkelejda Kallçiu theksoi se qëllimi i këtij studimi ka qenë:


Sot prezantojmë një produkt konkret, inovator në vetvete, pasi për herë të parë iu jepet mundësia fëmijëve të shprehen për shërbimet që ata marrin. Ne si Terre des hommes prej 5 vitesh jemi mbështetës të Reformës për Drejtësinë Penale për të Miturit si dhe e strategjive përkatëse që e mbështesin atë. Në themel të reformës është fuqizimi i të rinjve, krijimi i një qasje ndryshe për ofrimin e shërbimeve. Pjesë e saj është edhe të dëgjojmë sugjerimet e fëmijëve, pikërisht për të fuqizuar efektin e reformës e cila konsiston në dhënien e një shansi të dytë, duke krijuar një ndikim pozitiv në ri-integrimin e të miturve në konflikt me ligjin, e cila nuk mund të arrihet pa bashkëpunimin e të gjithë hallkave, duke filluar nga familja, si bërthamë e shoqërisë, e më tej i institucioneve shtetërore, private, kombëtare e ndërkombëtare.”

Standardet ndërkombëtare të drejtësisë penale për fëmijët, të garantuara nga Kodi shqiptar i Drejtësisë Penale për të Mitur, shërbyen si bazë e metodologjisë së hulumtimit, i cili është realizuar përmes intervistave individuale dhe focus grupeve. Grupi kryesor i synuar ishin fëmijët e moshës 14 deri në 18 vjeç, të cilët aktualisht mbikëqyren nga Shërbimi i Provës. Duke pasur parasysh se kalimi në moshën madhore është një proces, u ftuan të merrnin pjesë edhe të rinj të moshës 18 deri në 21 vjeç, mbikëqyrja e të cilëve nga Shërbimet e Provës ka nisur kur ishin ende nën 18 vjeç. Gjithsej, 32 pjesëmarrës nga 8 degë territoriale (Vlora, Durrësi, Fieri, Berati, Shkodra, Tirana, Korça, Kukësi.) morën pjesë në diskutimet e grupeve të fokusit të moshës 15-21 vjeç, ndërsa shumica e tyre ishin 16-18 vjeç.