
Terre des hommes do të zbatojë projektin “Fuqizimi i Jetëve – Përfshirja në Tregun e Punës” (EL-LMI) në bashkitë Kukës, Krujë dhe Kurbin. Ky projekt implementohet nga Tdh Shqipëri në kuadër të projektit më të gjerë “Bashkimi Evropian për Përfshirje në Tregun e Punës (EU4LMI)” të financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP Shqipëri, Zyra Suedeze e Punësimit Publik dhe ADRF në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
Qëllimi i këtij pozicioni është të bashkëpunojë ngushtë me aktorët lokalë, partnerët dhe ekipin e projektit për të ofruar shërbime cilësore dhe nisma që synojnë përmirësimin e mundësive të punësimit për të rinjtë në Bashkinë e Krujës. Këshilluesi i Karrierës është përgjegjës për hartimin e planit individual të riintegrimit dhe punësimit në bashkëpunim me përfituesin e programit dhe Zyrën e Punës, organizimin e takimeve individuale dhe në grup me përfituesit, monitorimin e progresit të përfituesve dhe përmbushjen e objektivave të planit, ofrimin e mbështetjes për punësim përgjatë gjithë kohëzgjatjes së programit. Ai/Ajo do të sigurojë zbatimin e planit operacional, do të hartojë raporte narrative dhe do të mbështesë proceset e monitorimit dhe vlerësimit (M&V) për të garantuar arritjen e objektivave të projektit si edhe do të lehtësojë mekanizmat e koordinimit të krijuara për zbatimin e suksesshëm të projektit, duke punuar ngushtë me palët e përfshira, nën mbikëqyrjen e Koordinatorit të Projektit.