Java e të drejtave të fëmijëve u përmbyll në Dibër me një sesion informues midis strukturave lokale të Bashkisë së Peshkopisë, nxënës të shkollave, si dhe grupit rinor të angazhuar në kuadër të projektit “Të Rinjtë, Të Drejtat dhe Drejtësia” me financim të Austrian Developmnet Agency dhe ADC në Shqipëri.
Gjatë këtij takimi, të rinjtë u njohën me rolin e Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve dhe institucioneve të tjera vendore, të cilat kanë për detyrë të garantojnë zbatimin e të drejtave të fëmijëve.
Aldo, 16 vjeçar e cilësoi takimin si të rëndësishëm pasi për të parën herë mësoi se ku mund të drejtohej në rast se i cënohen të drejtat.
“Për herë të parë mësova se ka një zyrë të dedikuar për mbrojtjen e fëmijëve në bashki dhe se aty mund të drejtohem për çdo problem që unë apo bashkëmoshatarët e mi, mund të kemi jashtë saj.”
Për Alba Saraçin, punonjëse sociale pranë Shkollës së Mësme të Përgjithshme, Peshkopi, të tilla aktivitete duhet të jenë sa më të shpeshta:
“Sot të gjithë mësuam nga njëri tjetri! Çdo fëmijë fsheh një talent i cili duhet përdorur vetëm kështu mund të rregullojmë të ardhmen, sepse asgjë materiale nuk vlenë sa një fëmijë”.