Stela dhe Deana janë dy specialiste të Sektorit të Integrimit, Diasporës dhe Migracionit në Bashkinë Shkodër të cilët u bënë pjesë e një workshopi të organizuar riashtazi nga Terre des hommes në kuadër të sfidave të migracionit në nivel lokal si pjesë e projektit “Ri-integrimi i qendrueshëm socio-ekonomik i migrantëve në Shqipëri” financuar nga GIZ dhe i zbatuar nga Tdh. Njihuni me përshtypjet e tyre pas pjesëmarrjes në workshop.
“Përshëndetje! Unë jam Stela Mardusha, specialiste pranë sektorit të Integrimit Europian, Diasporës dhe Migracionit në Bashkinë Shkodër. Takimi i sotëm ishtë shumë domethënës dhe frytdhënës në aspektin e diskutimeve së bashku me kolegë të tjerë të drejtorive rajonale të bashkive të tjera të veriut për të ndarë së bashku me ta sfidat në të cilat po ballafaqohemi në lidhje me të rikthyerit. Duke qenë një sektor i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë fushë, bashkëpunimi me të gjitha hallkat në këtë proces mendoj se është një faktor kyç. Forcimi i këtij bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse është pika e parë mbi të cilën mund të mbështeten efektivisht të gjithë hapat që një institucion mund të ndërmarrë."
“Unë jam Deana Alibali, specialiste në Bashkinë Shkodër tek Drejtoria e Planifikimit Strategjik në të cilën një sektor është i dedikuar për Bashkimin Evropian, Migracionin dhe Diasporën. Pjesëmarrja në workshop është shumë e vlefshme për shumë arsye. Ndër të cilat e para është nxitja e komunikimit mes institucioneve që ishim të pranishme sot. Workshopet janë të vlefshme edhe për rrahjen e mendimeve për diskutimet me njëri-tjetrin, për debate konstruktive me njëri-tjerin në lidhje me çështjen në fokus. Shërbejnë për forcimin e urave të komunikimit për forcimin e një rrjeti që mund të na shërbej sepse gjithnjë mund të bëjmë më shumë gjëra të mira duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin sesa individualisht.”