Terre des hommes vijon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të profesionistëve të vijës së parë të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve. Në Shkodër dhe në Fier, rreth 45 profesionistë si: punonjës të mbrojtes së fëmijëve, psikolog & punonjës social të shkollave dhe spitaleve rajonale, oficer të policisë gjyqësore, prokurorë, avokat, si dhe stafi i qendrave me një ndalesë, morën pjesë në dy sesione trajnimi mbi « Pasojat Psiko-Sociale dhe Fizike të Abuzimit Seksual » të cilat ofruan ndër të tjera një hapësirë diskutimi dhe shkëmbimi përvojash mbi tema si :
• Abuzimi seksual dhe pasojat e tij - trauma dhe stresi post-traumatik,
• Stigma e lidhur me abuzimin seksual,
• Puna me familjen dhe me personat mbështetës,
• Bashkëpunimi ndërsektorial për menaxhimin e rasteve për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijëve të abuzuar.
“Ky trajnim na ndërgjegjëson mbi të gjitha për të kuptuar sesa e rëndësishme është përfshirja e të gjitha institucioneve të tjera që kanë prioritet të punës së tyre mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës, duke na bërë bashkë për të njëjtin qëllim.” – pohon Vilda Bilani, një psikologe shkolle në Shkodër.
Ndërsa Edlir Doko, koordinator i qendrës me një ndalesë pranë spitalit rajonal të qytetit të Fierit, e vlerëson pjesëmarrjen në ciklin e trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve si një mundësi të vyer:
“Jam ndjerë më fat që kam pasur mundësinë të marr pjesë në këto trajnime. Mendoj që secili prej tyre ka qenë i vlefshëm, jo vetëm për rritjen time profesionale, por edhe për të zhvilluar njohjet me grupin multi-funksional me të cilin ne bashkëpunojmë në qytetin e Fierit, por jo vetëm.”
Këto trajnime u organizuan nga Terre des hommes si një nga partnerët zbatues të programit “𝑇𝑟𝑎𝑛𝑠𝑓𝑜𝑟𝑚𝑖𝑚𝑖 𝑖 𝑃𝑒̈𝑟𝑔𝑗𝑖𝑔𝑗𝑒𝑠 𝐾𝑜𝑚𝑏𝑒̈𝑡𝑎𝑟𝑒 𝑛𝑑𝑎𝑗 𝑇𝑟𝑎𝑓𝑖𝑘𝑖𝑚𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝑄𝑒𝑛𝑖𝑒𝑣𝑒 𝑁𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧𝑜𝑟𝑒 𝑛𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑛𝑔𝑎 𝑆ℎ𝑞𝑖𝑝𝑒̈𝑟𝑖𝑎”, të udhëhequr nga UNICEF Albania dhe të mbështetur financiarisht nga British Embassy në Tiranë.