Në studion e emisionit të mëngjesit të A2CNN bashkë me Aulona Mingën dhe Drini Zeqon, Anisa Alla, një nga 23 të rinjtë bashkëkërkues të Studimit Kombëtar mbi Angazhimin dhe Përfshirjen e të Rinjve dhe Dr.Olta Qejvani, ekspertja që ka ndjekur të rinjtë në procesin kërkimor, folën bashkë mbi gjetjet dhe rekomandimet e të parit studim të drejtuar nga vetë të rinjtë, për të rinjtë.
Studimi kombëtar i drejtuar nga një grup dinamik të rinjsh u realizua në kuadër të projektit "𝑇𝑒̈ 𝑅𝑖𝑛𝑗𝑡𝑒̈, 𝑇𝑒̈ 𝐷𝑟𝑒𝑗𝑡𝑎𝑡 𝑑ℎ𝑒 𝐷𝑟𝑒𝑗𝑡𝑒̈𝑠𝑖𝑎" , i zbatuar nga Terre des hommes, me mbështetjen financiare të Austrian Development Agency dhe ADC në Shqipëri.
“Ky studim, i udhëhequr nga të rinjtë, që nga hartimi i pyetësorit, tek mbledhje dhe analizimi i të dhënave dhe drejtimi i fokus grupeve në të 12 qarqet e vendit, ka pasur për qëllim që të prek nga afër perceptimin dhe ndjesinë e të rinjve. Në mënyrë që ndryshe nga çdo studim tjetër i realizuar për të rinjtë, këtë herë, të rinjtë bashkëkërkues kanë shkuar në thelb të shqetësimeve që ata vetë, si dhe bashkëmoshatarët e tyre prekin në përditshmëri”- pohon ekspertja Dr.Olta Qejvani.
Teksa Anisa Alla, 19 vjeçarja pjesë e grupit të të rinjve bashkëkërkues, tha gjatë intervistës:
“Ajo çka më shqetëson mua, dhe bashkëmoshatarët e mi, është se nuk duam kurrësesi që zëri ynë të jetë diçka që mbyllet në sirtar, por që zëri ynë të dëgjohet me të vërtetë për të sjellë ndryshim, sepse rinia është ndryshim. Ndaj dhe ky studim pati për qëllim që të rinjtë të përpiqen të jenë një zë aktiv për ndryshim”
Ndiqni intervistën e plotë në videon bashkëngjitur me këtë lajm.