Në përmbyllje të fushatës kombëtare për ndërgjegjësimin kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të rinjtë e Bulqizës dhanë mesazhe të rëndësishme në qendër të qytetit, kundër këtij fenomeni, përmes një flash mob.
Të angazhuar prej javësh për të realizuar këtë performancë artistike, ata arritën të tërhiqnin vëmendjen e qytetit, duke krijuar energji pozitive në komunitetin që ndoqi nga afër koreografinë e të rinjve.
Aktiviteti u zhvendos në mjediset e qendrës së re komunitare, e cila u inaugura në prani të kryetares së bashkisë, znj.Festime Mjeshtri, sekretarit të dytë të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. James Mogridge, përfaqësuesit të UNICEF në Shqipëri, z.Roberto De Bernardi, dhe drejtueses së Zyrë Kombëtare të Terre des hommes, znj.Enkelejda Kallçiu. Në fjalën e saj, kryetarja e bashkisë së Bulqizës, znj.Festime Mjeshtri vlerësoi vëmëndjen që po i kushtohet qytetit të saj me ngritjen e shërbimeve të reja parandaluese kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
“Viktimë e trafikimit mund të jetë çdokush, ndaj është e rëndësishme që për Bulqizën, edhe pse një bashki e vogël, që këtej e tutje të ketë më shumë vëmendje nga partnerët si Unicef Albania, Terre des hommes dhe nga Ambasada Britanike. Falë kësaj mbështetje, jam besimplotë se Bulqiza ka nisur një rrugëtim shumë të bukur, me implementimin e projekteve.”
Terre des hommes, si një nga partnerët zbatues të programit “𝑇𝑟𝑎𝑛𝑠𝑓𝑜𝑟𝑚𝑖𝑚𝑖 𝑖 𝑃𝑒̈𝑟𝑔𝑗𝑖𝑔𝑗𝑒𝑠 𝐾𝑜𝑚𝑏𝑒̈𝑡𝑎𝑟𝑒 𝑛𝑑𝑎𝑗 𝑇𝑟𝑎𝑓𝑖𝑘𝑖𝑚𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝑄𝑒𝑛𝑖𝑒𝑣𝑒 𝑁𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧𝑜𝑟𝑒 𝑛𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑛𝑔𝑎 𝑆ℎ𝑞𝑖𝑝𝑒̈𝑟𝑖𝑎”, të udhëhequr nga UNICEF Albania dhe të mbështetur financiarisht nga British Embassy në Tiranë, mundësoi ngritjen e kësaj qendre të re për Bulqizën. Sekretari i Dytë i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z.James Mogridge u shpreh i kënaqur për gurin kilomentrik të vendosur në këtë bashki nga qeveria britanike.
“Shpreh mirënjohjen timë për UNICEF dhe Tdh për përpjekjet e tyre të palodhura për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Ne jemi të ndërgjegjshëm që përpjekjet e vazhdueshme në bashkëpunim me pushtetin lokal janë të domosdoshme në luftën kundër këtij fenomeni. Jam shumë i lumtur që festojmë së bashku këtë gur të rëndësishëm të vendosur nga Mbretëria e Bashkuar për më shumë mundësi për fëmijët dhe familjet në Bulqizë.”
Drejtuesja e Zyrës Kombëtare të Tdh, znj.Enkelejda Kallçiu vuri theksin tek rëndësia e këtyre shërbimeve si një mundësi më shumë për komunitetin e qytetin.
“Ne kemi besim si Terre des hommes që ndryshimi fillon pikërisht në grupe të rinjsh, të cilët mbështeten përmes këtyre shërbimeve që do të ofrohen nga kjo qendër. Duhet ta shihni këtë qendër si pikë reference për më shumë mundësi për komunitetin, përmes aktiviteteve të ndryshme që do të zhvilloni dhe temave që do të trajtoni. Jemi shumë të kënaqur për bashkëpunimin që kemi pasur deri më tani me bashkinë e Bulqizës, e cila ka hapur derën mundësisë për ngritjen e shërbimeve të reja.”
Duke nënvizuar fjalën “mundësi” të përmendur edhe në fjalën e drejtueses së Zyrës Kombëtare të Tdh, përfaqësuesi i Unicef në Shqipëri, z.Roberto de Bernardi, theksoi se aksesi drejt mundësive të reja është përgjigjia më e mirë kundër trafikimit.
“Do të doja që t’i bëja jehonë një fjalë të përmendur nga drejtoresha e Tdh gjatë fjalimit të saj, dhe kjo fjalë është MUNDËSI. Kjo qendër do të krijojë më shumë mundësi për komunitetin e Bulqizës. Aksesi në këto mundësi është mënyra më e mirë për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore. Jemi në rrugë të mbarë, tashmë sfida tashmë është që qendra të mirëmbahet dhe të mbahet gjallë me aktivitete.”
Gjatë vizitës në qendër, pjesëmarrësit paten mundësi të ndiqnin dhe një aktivitet të zhvilluar nga të rinjtë pjesë e grupit të trajnuar përmes metodologjisë “Ti Krijon” .
Vizita në Bulqizë u përmbyll me një takim koordinues në zyrën e kryebashkiakes, së bashku me autoritetet vendore dhe partnerët zbatues të projekteve në bashkinë e Bulqizës, për të siguruar bashkëpunim në nivel lokal dhe për t’iu përgjigjur bashkarisht dhe në mënyrë proaktive çdo sfide të shfaqur.