“Thyej Heshtjen! Të Bashkuar Kundër Trafikimit” është tema e fushatës ndërgjegjësuese që ka nisur tashmë prej 29 Majit me dy aktivitetet e para të zhvilluara në gjimnazin “Jordan Misja”, Shkodër dhe në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Bajram Abdiu” në Bicaj të Kukësit. Gjatë këtyre dy takimeve ku ishin të pranishëm të rinj dhe profesionistë u shpërndanë informacione mbi punën që kryhet nga Qendra Komunitare Multifunksionale, Qendrat me një Ndalesë, Terre des hommes, Unicef, Prokuroria dhe stafi i psikologëve në shkolla.
Informacioni shërbeu për të çelur një bashkëbisedim mes të rinjve dhe profesionistëve të pranishëm për të kuptuar më tej sesi duhet që ata të veprojnë në raste se gjenden në situata ku ata ose të tjerët mund të jenë në rrezik trafikimi dhe jo vetëm.
Takime të tilla ndërgjegjësuese të cilat do të vijojnë edhe gjatë Qershorit për të kulmuar në 30 Korrik - Ditën Botërore Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore janë organizuar në kuadër të programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria”, implementuar nga Tdh, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe mbështetje dhe nga Ambasada Britanike në Tiranë.